Ditën e sotme në Mal të Zi mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat kanë ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm në opinion, pasi nga rezultati i tyre varet zgjidhja e krizës politike që po mbretëron në skenën e Malit të Zi që nga zgjedhjet e gushtit 2020.

Të drejtë vote në këto zgjedhje, të tretat brenda 9 muajve në Mal të Zi, kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore. Këto janë zgjedhjet e dymbëdhjeta parlamentare që nga vendosja e pluralizmit në Mal të Zi. Partia Demokratike e Socialistave (PDS) për të parën herë hyn në zgjedhje pa liderin e saj Millo Gjukanoviç, i cili pas tri dekadash është tërhequr si lider i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviç.

Sipas të dhënave të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), deri në orën 11:00 kanë votuar 16.3 për qind e votuesve të regjistruar.