Të paktën shtatë palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në një sulm ajror të kryer nga ushtria izraelite sot në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Bombardimet izraelite kishin në shënjestër një shtëpi që i përkiste familjes Zorob në lagjen Al-Nasr, në lindje të qytetit Rafah, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa.
Në një sulm tjetër, të paktën dy persona u vranë dhe të tjerë u plagosën si rezultat i bombardimeve të shtëpive nga avionët luftarakë izraelitë në Kampin e Refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës të enjten mbrëma.
Ushtria izraelite, e cila gjithashtu shënjestroi lagjet Zeitoun dhe Sabra të qytetit të Gazës me zjarr ajror dhe artilerie, vazhdon sulmet ajrore dhe tokësore në pjesët qendrore dhe veriore të Rripit të Gazës.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gaza më 7 tetor, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas, duke vrarë më shumë se 28.600 palestinezë dhe duke plagosur 67.147 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Ofensiva izraelite ka zhvendosur brenda territorit 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila po përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 70 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli është akuzuar për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa