Rreth 12 kilometra larg nga qendra e qytetit të Lipjanit, aty ku qëndron busti i heroit kombëtar Adem Jashari, në fshatin Magurë, dy binjakët Hamëz dhe Adem Jashari bartin emrat dhe mbiemrin e dy heronjve më të rëndësishëm të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Binjakët nga Magura e Lipjanit, Hamëz dhe Adem Jashari, kanë lindur më 21 maj 2013 dhe vijojnë shkollën fillore, në klasën e pestë, me sukses të shkëlqyeshëm.

Bekim Jashari, babai i binjakëve nga Magura, i cili për rastësi edhe ky ka emrin e djalit të heroit Hamëz Jashari, thotë se djemve të cilët këtë vit mbushin nga 11 vjet jetë ua vendosi emrat duke pasur në mendje kontributin e madh për kombin nga heronjtë Hamëz e Adem Jashari.

“Pse i kemi vendosur këta emra, thjeshtë i kemi vendosur sepse i kemi heronjtë tanë të cilët kanë dhënë shumë për vendin tonë. Është Hamëza dhe Ademi. Prandaj, mua ma dha Zoti këtë mundësi, këtë privilegj, sepse gjatë kohës sa ishte gruaja shtatzënë deri sa kanë lindur fëmijët nuk e kemi ditur gjininë e tyre. Mirëpo, unë thash që nëse janë djem, do t’ua vendosi këta emra dhe deshi Perëndia e kreu punën e tij dhe unë u dashtë ta kryeja timen”, thekson babai i dy binjakëve për Anadolu.

Ashtu sikurse dy vëllezërit heronj nga Prekazi, Hamëza vëllai i madh dhe Ademi i vogli, hierarkinë e kanë ndjekur edhe binjakët nga ky fshat i Lipjanit, ku njëri nga binjakët për shkak se ka lindur disa minuta më herët, është emëruar Hamëz, ndërsa Ademi është i dyti.

“Si çdo binjak që lind, gjithmonë njëri lind më herët dhe njëri pak më vonë. Ky është Hamëza, ky ka lindur disa sekonda/minuta më herët, kurse Ademi ka lindur pak më vonë dhe e kemi pagëzuar me këtë emër”, thekson Bekim Jashari.

Binjakët Hamëz e Adem Jashari të cilët thonë se ëndrra e tyre është të kontribuojnë për shtetin e Kosovës, shprehen të lumtur me emrat të cilat babai i tyre i zgjodhi për ta.

“Unë jam Hamëz Jashari, jam 10 vjeç dhe jam në klasën e pestë në shkollën Hajradin Bajrami. Hamëz Jashari ka kontribuar për vendin tonë. Ata kanë qenë heronjtë më të mirë dhe unë kam dëshirë të bëhem sikur ata”, thotë Hamëza.

“Unë jam Adem Jashari, jam në klasën e pestë tek shkolla Hajradin Bajrami. Unë bart emrin dhe mbiemrin e Adem Jasharit, heroit tanë”, thekson Ademi, i cili sipas babait edhe në karakter është më i heshtur se Hamëza, veti e cila i dallonte edhe heronjtë nga Prekazi i Skënderajt.

Binjakët kanë mësuar edhe një poezi për heronjtë Hamëz e Adem Jashari të cilën e recitojnë në përvjetore dhe data të rëndësishme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ata nuk vdiqën, as nuk u vranë, por vetëm u përgjakën që të duken sa më bukur. Ata u futën në këngë, sepse kënga jeton më gjatë. Çmalluni, çmalluni me dheun e babë Shabanit, nënë Zahides, Ademit, Hamëzës. Çmalluni me dheun e Jasharëve”, është një nga pjesët të cilët ata e recituan për Anadolu.

Së bashku me vëllain e tij Hamëz Jasharin, kryekomandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, ka marrë pjesë në rezistencën kundër forcave policore–ushtarake serbe të cilët më vonë e sulmuan shtëpinë e tyre në mars të vitit 1998, ku ata ranë heroikisht së bashku me mbi 50 anëtarë të familjes së tyre.

Çdo përvjetor të pavarësisë së Kosovës, krerë të shtetit të Kosovës kujtojnë sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë familjeve të dëshmorëve për liri.

Këtë vit, Kosova shënon 16 vjetorin e pavarësisë që e shpalli më 17 shkurt 2008 duke u bërë shteti më i ri në Evropë. Sot 117 shtete e njohin Kosovën, ndërsa Serbia vazhdon me diskursin e saj të mosnjohjes së pavarësisë duke e konsideruar ende Kosovën si "pjesë të territorit të saj"./aa