Tirana mikpriti sot mbledhjen e Konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB).

Ministri I Financave Ervin Mete theksoi se po punohet për finalizimin e një strategjie të Menaxhimit të Financave Publike, në koordinim me Bashkimin Evropian, si një nga parakushtet themelore të avancimit me negociatat drejt BE-së. Pjesë e reformave të Menaxhimit të Financave Publike është edhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, për të cilën kemi punuar së bashku me FMN-në për të përmirësuar administrimin fiskal dhe efektshmërinë e politikave tatimore.     

Ministri i Financave vuri në dukje se borxhi publik jo vetëm që zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon.

Nga ana e tij Guvernatori Sejko u shpreh një surprizë e vitit 2023 ishte rritja e interesit të të huajve për vendin tonë.

Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar – për herë të parë në historinë e vet – suficit të llogarisë korrente.

Gjithashtu, viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi.” - theksoi Guvernatori.

Ndër të tjera Guvernatori nënvizoi se banka qendrore duhet të çojë deri në fund luftën kundër inflacionit.

"Trendi rënës i tij është lajm i mirë, por një inflacion në rënie nuk është një inflacion në objektiv. Prandaj, bankat qendrore duhet të vijojnë të fokusohen në marrjen e masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, si parakusht për rritjen e qëndrueshme të ekonomive dhe të mirëqenies së qytetarëve"

Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Federico Giammusso.