Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njoftoi se nisi punën për rinovimin e rreth 20% të linjave të testimit të mjeteve në Qendrat e Kontrollit Teknik.

 

Ky investim, sipas DPSHTRR, vjen në prag të 2-vjetorit të kalimit të shërbimit të Kontrollit Teknik në këtë institucion.

 

“Krahas modernizimit të teknologjisë në pajisjet testuese, të kontrollit të gazrave të shkarkimit, të sistemit të drejtimit, të frenimit, etj., me prodhime të gjeneratës së fundit, investojmë edhe në procese testimi më cilësore duke shtuar pajisje të reja matjeje si:

Matës elektronik të nivelit të ndotjes akustike (zhurmave);

Pajisje elektronike për kontrollin e fushë-shikimit të dritave të mjetit;

Pajisje me rreze infra të kuqe për matjen e temperaturës së vajit të motorit gjatë testimit”, thuhet në njoftimin e DPSHTRR.

“Investojmë me standarde në teknologji e sisteme kontrolli, për mjete rrugore më të sigurta, rrugë e qytete më të pastra e më të mbrojtura nga ndotje të ajrit apo të akustikës!”, përfundoi DPSHTRR.