Programi Botëror i Ushqimit (WFP) duhet të ketë "garanci sigurie" për të sjellë furnizime ushqimore në Rripin e Gazës për të parandaluar urinë që kërcënon më shumë se 2 milionë njerëz në enklavën palestineze.

"WFP-ja ka furnizime ushqimore në kufi dhe do të mund të ushqejë 2,2 milionë njerëz në të gjithë Gazën. Por ne duhet të kemi garanci sigurie dhe qasje që qëndrueshme për ta ofruar në mënyrë të sigurt", tha Cindy McCain, drejtoreshë e WFP-së.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor. Sulmi izraelit që pasoi ka vrarë të paktën 28.663 palestinezë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës palestineze mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Dje, WFP-ja paralajmëroi se derisa rreziku i urisë rritet dhe më shumë njerëz janë të ekspozuar ndaj shpërthimeve të sëmundjeve vdekjeprurëse, "urgjentisht është i nevojshëm një ndryshim themelor në rrjedhën e ndihmave humanitare në Gaza".

Krerët e WFP-së, Fondit Ndërkombëtar të Emergjencës për Fëmijë (UNICEF) dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thanë se marrja e furnizimeve të mjaftueshme në Gaza tani varet nga hapja e rrugëve të reja hyrëse, lejimi i kalimit të kontrolleve kufitare të më shumë kamionëve, më pak kufizimeve në lëvizjen e punëtorëve humanitarë, si dhe nga garancitë e sigurisë për njerëzit që marrin dhe shpërndajnë ndihma.

WFP-ja tha se veprimi humanitar është shumë i kufizuar nga mbyllja e të gjitha vendkalimeve kufitare në jug të Gazës, përveç dy pikave kufitare, si dhe nga një proces verifikimi me shumë shtresa për kamionët që shkojnë në Gaza.

Përveç kësaj, pasi kamionët kalojnë brenda Gazës, përpjekjet për të ngritur pika shërbimi për njerëzit në nevojë pengohen nga "bombardimet dhe ndryshimi i vazhdueshëm i fronteve të betejës", të cilat rrezikojnë jetën e civilëve të Gazës dhe të personelit humanitar që përpiqet t’i ndihmojë ata.

"Njerëzit në Gaza rrezikojnë të vdesin nga uria vetëm disa kilometra larg kamionëve të mbushur me ushqim. Çdo orë e humbur vë në rrezik jetë të panumërta. Ne mund ta mbajmë larg urinë, por vetëm nëse mund të ofrojmë furnizime të mjaftueshme dhe të kemi qasje të sigurt për të gjithë në nevojë kudo që janë", tha McCain./aa