Me vrasjen e katër gazetarëve të tjerë është rritur në 130 numri i gazetarëve që kanë humbur jetën në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite vazhdon pushtimin dhe sulmet e saj.

Zyra për media e qeverisë në Gaza njoftoi se kanë humbur jetën drejtori i radios Kurani i Shenjtë, Zejd Abu Zayid, pasi ushtria izraelite bombardoi shtëpinë e tij në kampin e refugjatëve Al-Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, si dhe gazetari që punonte për agjencinë Kenan Media, Yasir Memduh, i cili u shënjestrua nga snajperët izraelitë në spitalin Al-Nasser në qytetin Khan Younis në jug të Gazës.

Ndërkohë, njoftohet se Muhammed Raslan Shenyura, i cili punonte si fotoreporter për Rrjetin Mediatik Sahel, si dhe redaktori Mahmud Mushteha u vranë në rajonin Tel Al-Hawa të qytetit të Gazës rreth dy muaj më parë.

Theksohet se është rritur në 130 numri i gazetarëve të vrarë në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

"Izraeli i vret gazetarët në Gaza në mënyrë të qëllimshme me synimin për të heshtur të vërtetën e Palestinës, për të fshehur dhe parandaluar që lajmet dhe informacionet të mbërrijnë tek opinioni rajonal dhe ndërkombëtar", tha më herët zyra për media e qeverisë në Gaza.

Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori janë vrarë mbi 28.800 palestinezë, përfshirë të paktën 12.300 fëmijë dhe 8.400 gra, si dhe janë plagosur 68.552 të tjerë.

Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku janë strehuar popullata./aa