Universiteti i Tiranës nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me ambasadën e Spanjës në Tiranë për të mbështetur më shumë lektorët e gjuhës spanjolle në UT.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha dhe ambasadori i Spanjës në Tiranë, Alvaro Renedo Zalba dhe synon të mbështesë studimet e gjuhës spanjolle në UT, duke kontribuar në zhvillimin dhe konsolidimin akademik-institucional, për përfshirjen e një vendi për Universitetin e Tiranës, në shpalljen e rregullt të MAEC-AECID të subvencioneve dhe ndihmave për lektorë spanjollë në universitetet e huaja, duke filluar nga viti akademik 2024/2025.

Në këtë mënyrë UT do të ketë asistencën teknike të një lektori të gjuhës spanjolle në Departamentin e Gjuhës Spanjolle, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.

Në takim gjithashtu u diskutua mbi nxitjen e bashkëpunimit me disa universitete të ndryshme spanjolle; pasurimin e bibliotekës së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja me literaturë spanjolle; rinovimi i memorandumit të mirëkuptimit me Agjencinë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim./ata