Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vijojnë me intensitet punimet për përfundimin e fazës së dytë të investimit për rehabilitimin e plotë të spitalit pediatrik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu pa nga afër ecurinë e punimeve në këtë spital.

“Edhe pse në fazë rehabilitimi shërbimi i pediatrisë për të vegjlit nuk ka ndaluar për asnjë moment që nga nisja e punimeve, pasi stafi i mjekëve dhe infermierëve janë në gatishmëri 24/7”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë prindërve e të vegjëlve që deri në përfundim të këtij projekti vijojnë të marrin shërbimin në një ambient provizor”.

“Mbetemi çdo ditë të angazhuar për të përfunduar sa më parë punimet dhe qytetarët të rikthehen të marrin shërbimin në kushte moderne, me cilësi dhe standarde bashkëkohore”, tha Koçiu.

Pas përmbylljes së fazës së parë të investimit në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, me ndërtimin e spitalit të ri me tre shërbime të rëndësishme, siç janë Shërbimi i Urgjencës; shërbimi i Reanimacionit; sallat e operacionit për ndërhyrjet kirurgjikale infantile, ka vijuar faza e dytë e investimit në këtë kompleks spitalor, e cila përfshin rehabilitimin e plotë të Pediatrisë së Përgjithshme.

Faza e dytë e këtij projekti do të mundësojë të gjithë rehabilitimin dhe përforcimin nga themelet të të gjithë strukturës të Pediatrisë së Përgjithshme, ku janë 120 shtretër dhe përfshihet shërbimi i onko-hematologjisë, dializës, pneumologjisë, etj. Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUT./ata