Në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë është zhvilluar këtë të premte seanca e tretë e programit edukues “Këndvështrimi im”, me nxënësit e shkollës së mesme “Turgut Ozal”.

Sipas njoftimit të Kuvendit mbledhja u zhvillua nën drejtimin e deputetes Andia Ulliri.

“U zhvillua sot seanca e tretë e programit edukues “Këndvështrimi im” me nxënësit e shkollës së mesme “Turgut Ozal”. Deputetët për një ditë propozuan dy nisma: “Shtimin e përfaqësive diplomatike” dhe “Krijimin e Institutit të Memories për periudhën e Regjimit Komunist””, bën të ditur Kuvendi.

“Në fund të procesit të votimit u arrit miratimi i dy projektligjeve me shumicë votash. “Këndvështrimi im” është një program edukues i Kuvendit të Shqipërisë, i cili zbatohet në kuadër të projektit PACEP II, mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), së bashku me partnerët e Institutit Demokratik Amerikan”, përfundon njoftimi./ata