“Urat”, titullohet reportazhi i realizuar nga bashkia e Shkodrës në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Kryetari bashkisë së Shkodrës, Benet Beci publikoi në rrjetet sociale reportazhin i cili sjell dëshmitë e qytetarëve nga Kosova që kanë zgjedhur të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

“Shkodra dhe Kosova, lidhje të kahershme historie, arti dhe jete, vijnë përmes reportazhit “Urat”, një prodhim i bashkia Shkodër. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë”, shkruan Beci.

Në reportazh Engjëll Gjugja, nga Gjakova, i cili punon mes Shkodrës dhe Tiranës tregon përmes personazheve që ai ka intervistuar marrëdhënien mes Gjakovës dhe Shkodrës.

“Në Shkodër kam ardhur shumë i ri, kur erdha nga lufta dhe u strehuam në Shkodër. interesante ishte fakti që unë nuk ndryshova gjë nga lagjja në Gjakovë u kthyem në një lagje në Shkodër. Nga një djep i kulturës erdha tek një shtrat i kulturës. Pas studimeve filozofike ne Romë u ktheva në Shkodër u punësova pranë organizatave të shoqërisë civile. pastaj kalova në administratë publike. Fillova të ndiej influencën kulturore që kishte Shkodra tek unë”, theksoi Gjugja.

Gjugja u shpreh se “nuk është i vetmi që ka zgjedhur Shkodrën, por janë disa familje nga Kosova që janë zhvendosur prej brezash në Shkodër”.

Nexhat dhe Xhevat Grezda tregojnë se “gjyshi ynë ka ardhur në moshë të re 16-17 vjeç, ka qenë mjeshtër i qeleshes. Dyqani u hap në 1920 kishte kërkesa shumë ndaj edhe u zgjerua aktiviteti. Me ardhjen e gjyshit ka hap dyqan në pazarin e vjetër, Si gjyshi si babai vazhduan me prodhimin e qelesheve gjithë jetën”.

Lidhur me marrëdhëniet historike mes Shkodrës dhe Kosovë, Amila Gjyrezi u shpreh se “Kosova, por në veçanti Gjakova e Prizreni kanë lidhje historike përsa i përket viteve të kaluara që në 1700 deri në 1800 dhe 1900 . Kemi materiale historike që i tregojnë, këto artefakte janë ekspozuar në ekspozita të ndryshme në Shkodër, por edhe në Kosovë. Jemi munduar të përzgjedhim dokumente e fotografi që tregojnë këto marrëdhënie”.

Kosova sot feston 16-vjetorin e Pavarësisë, të shpallur në 17 shkurtin historik të 2008-ës. Kjo datë historike erdhi pasi Kosova fitoi lirinë në 12 qershor 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s e të vendoset Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara./ata