Tre linja autobusësh në Tiranë, do të zëvendësohen plotësisht me autobusë elektrikë, brenda vitit 2029. Bëhet fjalë për linjën e Tiranës së Re, Unazës dhe Kombinat-Kinostudio, ku do të futen 50 autobusë elektrikë, të cilët do të kenë 52 kilometra korsi të dedikuara në të dyja anët e rrugës.

Autobusët elektrik, do të zëvendësojnë plotësisht ato që janë aktualisht, ndërkohë që nuk pritet të rishikohet çmimi i biletës.

“Do të jenë me kapacitet shumë më të lartë se autobusët aktual. 50 autobusë që do të jenë 100% elektrike dhe numri i autobusëve që do të jenë në dispozicion është parashikuar të mbuloj të gjithë kërkesën. Autobusët aktual do të zëvendësohen 100%. Bileta nuk ka një parashikim për ndryshim, por kostoja mund të sugjerojë në të ardhmen një ndryshim kostoje të operimit të këtyre linjave”, tha nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jonida Halili.

Për realizimin e këtij projekti në Komisionin e Veprimtarisë u diskutua edhe kredia prej 50 milionë euro që do të merret nga KFË gjermane.

“Kostoja totale e projektit parashikohet në 110 milionë euro, 50 milionë euro është kjo kredi, 30 milionë euro është grant nga BE dhe pjesa tjetër 29 milionë euro është kosto e mbuluar nga bashkia”, tha zëvendësministrja e Financave Adela Xhemali.

Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, thotë se këto linja të reja, do të lehtësojnë transportin e qytetarëve.

“Pritet të jetë nga 9 mijë pasagjerë në pikë në 23 mijë pasagjerë në pik. Koha e qëndrimit në stacione pritet të jetë rreth 30 sekonda, ndërsa shpejtësia e lëvizjes pritet të shkojë nga 9.5 kilometra që është aktualisht në 20 mijë km në orë”, tha Halili.

Për ndërtimin e korsive të dedikuara do të bëhen edhe shpronësime në rrugën Kombinat-Kinostudio, ndërsa karikimi i autobusëve do të jetë në disa pika.

“Nevojat për shpronësim janë vetëm në linjën kinostudio kombinat, dhe depos së karikimit që është identifikuar nga Bashkia e Tiranës, po punohet për të siguruar hapësirën ku do të ndodhë investimi. Karikimi do të ndodhë në e-DEPO, dhe në disa stacione në qytet”, tha nënkryetarja.

Zëvendësimi i autobusëve aktual, që përdorin karburant, me autobusët elektrik sipas qeverisë do të sjellë ulje të ndotjes me 55% deri në vitin 2030./Shqiptarja