Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pranishëm sot në takimin e degës 6 të kësaj partie në kryeqytet, u shpreh se qeverisja aktuale është shndëruar pas asnjë diskutim në qeverisjen më të dështuar dhe që i ka hyrë në hak shqiptarëve në çdo aspekt.

Sipas Bashës, në skandalin McGonigal, agjentit të FBI-së të dënuar në SHBA, ka dy konkluzione të rëndësishme.

“I pari që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kushdo që të jesh, vjen dita që jep llogari para drejtësisë. Dhe Charles Mcgonigal është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg sepse mori para nga Edi Rama për të stisur hetime dhe akuza monstruoze ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, ndaj opozitës, pa asnjë hezitim nga korruptuesi se me këtë po njollosej jo thjesht në mënyrë të padrejtë kundërshtarin e vet politik, por gjithë këtë vend, të gjithë qytetarët e këtij vendi”, tha Basha.

“Angazhimi ynë për një kulturë të re politike fillon me fundin e pandëshkueshmërisë dhe nga kjo buron edhe dhënia pa asnjë kusht mbështetje politike për SPAK”, u shpreh kreu i PD-së.

“Mesazhet e aleatëve tanë janë të qarta: mbështetje pa kompromis për drejtësinë, fund pandëshkueshmërisë, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qëndrimet tona janë të qarta dhe do të jenë të qarta deri në fund. Asgjë në këtë botë nuk është përfekte, as reforma në drejtësi, as SPAK-u. Por SPAK-u ka përsipër një mision të ngarkuar nga shqiptarët, me pritshmëri të larta nga shqiptarët, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Dhe këtu padiskutim që PD e shikon fare qartë interesin publik”, vijoi ai.

Basha theksoi se qëllimi i dytë i PD për një fytyrë të re politike, ka të bëjë me fijet e këputura të demokracisë.

“Listat e hapura që do të mundësojnë se kush e ka vendin në parlament. Dhe kjo do të mundësojë që ata që shkojnë në parlament ,me votën e qytetarëve, të jenë të vetëdijshëm se kujt duhet t’i shërbejnë. Së dyti votimi dhe numërimi elektronik, i provuar tashmë në 4 palë zgjedhje si efektiv, i drejt dhe i pamanipuluar, ndryshe nga përvojat që çdo parti kanë me votimin konvencional. Së treti barazia e votës për të cilën PD propozon Shqipëria një zonë elektorale”, tha ai.

Më pas, sipas Bashës, kjo i hap rrugën objektivit të katërt por jo nga rëndësia, që është gjysma e Shqipërisë që nuk jetojnë këtu por kontribuojnë në këtë vend, po kështu efektivisht të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre, të japin votën e tyre, t’iu numërohet vota e tyre, t’iu dëgjohet zëri i tyre në përbërjen e parlamentit të ardhshëm të Republikës së Shqipërisë./ata