Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Tel Avivi nuk do të pajtohej me kërkesat e Hamasit për një armëpushim dhe shkëmbim pengjesh, si dhe ka kërcënuar se Izraeli do të nisë një ofensivë ushtarake në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Netanyahu në një konferencë për media në Kuds tha se “kërkesat e Hamasit janë të çmendura” dhe se “ata duan të arrijnë një qëllim, që është mposhtja e Izraelit”.
“Është e qartë se nuk do të pajtohemi me to. Nëse Hamasi heq dorë nga këto kërkesa, ne mund të ecim përpara”, tha Netanyahu.
Sipas tij, Izraeli ka fuqi të mjaftueshme për të shkatërruar fuqinë e Hamasit në Gaza.
“Ne duhet të shkatërrojmë shumicën e brigadave të tij dhe ne kemi bërë përparim të madh në këtë drejtim”, shtoi ai.
Dje, kreu i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, theksoi se “rezistenca nuk do të pranojë asgjë më pak se një ndërprerje të plotë të agresionit, tërheqjen e ushtrisë okupuese nga Rripi i Gazës, garantimin e strehimit të sigurt dhe të përshtatshëm për të zhvendosurit nga krimet e okupimit, kthimit të të zhvendosurve, veçanërisht në pjesën veriore të Rripit të Gazës, fundin e politikës barbare të urisë, si dhe një angazhim për rindërtim”.
“Hamasi u përgjigj gjatë gjithë kohës në një frymë pozitive dhe me përgjegjësi me ndërmjetësit për të ndaluar agresionin kundër popullit tonë, për t’i dhënë fund rrethimit të padrejtë, si dhe për të lejuar rrjedhën e ndihmës, strehimit dhe rindërtimit”, tha Haniyeh në një deklaratë.
Të martën e kaluar, negociatat për një marrëveshje të re të propozuar të shkëmbimit të pengjeve u mbajtën në Kajro, por përfunduan pa përparim.
Pavarësisht paralajmërimeve rajonale dhe ndërkombëtare kundër ndonjë okupimi izraelit në Rafah, Netanyahu tha se, “Ata duan që të na pengojnë të nisim një operacion ushtarak në Rafah, duan që ne ta humbim këtë luftë. Unë nuk do ta lejoj këtë”.
Ai pohoi se “ka hapësirë të mjaftueshme për evakuimin e civilëve në zonën e qytetit Rafah, në mënyrë që ne të mund të kryejmë një operacion ushtarak”.
Dje, televizioni izraelit ‘Channel 12’ raportoi se Netanyahu do t'i paraqesë qeverisë së tij një plan javën e ardhshme për sulmin e ushtrisë në Rafah.
Izraeli njoftoi synimin e tij për të pushtuar qytetin Rafah në zonën jugore të mbipopulluar, pasi evakuoi me forcë banorët e veriut dhe i drejtoi ata në jug, duke pretenduar se është një "zonë e sigurt".
Paralajmërimet rajonale dhe ndërkombëtare përshkallëzohen lidhur me bombardimet izraelite të qytetit Rafah me përgatitjet për ta pushtuar atë në terren dhe për rrezikun që paraqet për qindra mijëra njerëz të zhvendosur që kanë kërkuar strehim atje si shenjtërorja më jugore në Rripin e Gazës.
Lidhur me negociatat me palestinezët, Netanyahu tha “Izraeli nuk do t'i nënshtrohet diktateve ndërkombëtare në lidhje me zgjidhjen e ardhshme me palestinezët”.
“Nën udhëheqjen time, Izraeli do të vazhdojë kundërshtimin e tij të fortë ndaj njohjes së njëanshme të shtetit palestinez”, tha Netanyahu.
Duke iu referuar protestave të vazhdueshme popullore në disa qytete izraelite që nga fillimi i luftës, që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë izraelite, Netanyahu shprehu kundërshtimin ndaj mbajtjes së zgjedhjeve gjatë konfliktit.
“Gjëja e fundit që i duhet Izraelit tani është të mbajë zgjedhje”, tha ai.
Izraelitët demonstrojnë çdo ditë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Netanyahu-t dhe lirimin e pengjeve, por çdo të shtunë organizohen protesta qendrore në të gjithë vendin./aa