Të paktën 25 persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën pas një rënie guri të shkaktuar nga reshjet e dendura të borës të dielën në provincën Nuristan të Afganistanit verilindor. Kështu njoftoi sot Ministria e Menaxhimit të Fatkeqësive.
“Për shkak të rënies së shkëmbit, rreth 25 bashkëqytetarë tanë u vranë dhe tetë u plagosën,” -tha Janan Sayegh, zëdhënësi i ministrisë. Ai shtoi, duke folur për AFP, se numri i viktimave mund të rritet. “Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar në terren dhe numri i të vdekurve mund të rritet”, vlerësoi gjithashtu Jamullah Hashimi, kreu i departamentit të informacionit dhe kulturës në provincën Nuristan. Rënia e shkëmbit ka dëmtuar fshatin Nacre në luginën e Tatinit.
Nuristani është një provincë në kufi me Pakistanin. Pjesa më e madhe e provincës është e mbuluar nga pyjet, si dhe nga malet e vargmalit Hindu Kush. Ortekët ose rrëshqitjet e dheut ndodhin çdo vit në veriun malor të Afganistanit, të cilat rezultojnë edhe më vdekjeprurëse pasi autoritetet nuk kanë pajisjet e nevojshme për të shpëtuar të bllokuarit.