Fermerët në Greqi bllokuan rrugën Athinë-Selanik dhe ndaluan qarkullimin e automjeteve si pjesë e protestave që kanë nisur me qëllimin për të tërhequr vëmendjen mbi problemet në rritje në sektorin e bujqësisë.

Me vendimin që morën në mbledhjen e mbajtur më 6 shkurt për vazhdimin e protestave të tyre, fermerët shkaktuan radhë të gjata nëpër rrugët që kanë bllokuar në mbarë vendin prej dy ditësh.

Herë pas here u shënuan tensione mes policisë dhe fermerëve që kanë ndezur zjarre në disa rrugë.

Një person nga protestuesit në një deklaratë për gazetarët tha se "Në 30 vitet e fundit nuk ka ndryshuar asgjë. Fatkeqësisht shoh që qeveria është e pandjeshme dhe se premtimet janë shumë larg nga kërkesat tona".

Duke vënë në dukje se do të vazhdojnë betejën e tyre deri në plotësimin e kërkesave të tyre, fermeri tha se është për të ardhur keq që edhe qeveria nuk ka një plan deri më tani.

Javën e ardhshme fermerët planifikojnë të mbajnë protestë me traktorët e tyre në sheshin "Sintagma" në të cilin ndodhet edhe ndërtesa e Parlamentit në kryeqytetin Athinë.

Fermerët të cilët protestojnë prej rreth 4 muajsh, kërkojnë dëmshpërblim për kulturat e dëmtuara, ulje të tarifave të energjisë elektrike dhe mbështetje për blerjen e ushqimit dhe materialeve për mbarështuesit e kafshëve./aa