Pas shembjes se nje pjese të aksit rrugor Ersekë - Korçë ditën e djeshme, kanë ardhur dhe reagimet e para.
Avokati Esmerald Xhafa, ka ngritur një kallëzim penal në SPAK ndaj ARRSH, Bashkinë e Kolonjës si dhe kompanive A.N.K dhe A&E ENGINEERING, që po kryejnë punimet në rrugë, për veprat penale: "Shpërdorimi i detyrës", "Falsifikim i dokumentave" dhe "Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike".
Mësohet se përveç projektit, Xhafa ka bashkangjitur dhe pamje filmik ku fakton punimet me cilësi të dobët dhe ndërtimin i cili është bërë ndryshe nga projekti.
Pronari i kompanisë A.N.K rezulton me 100 të aksioneve Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS, Ndue Kola, i cili ka përfituar tenderin për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë. Ndërkohë kompania A&E ENGINEERING, është në pronësi të Entela Çanos, me 100% të aksioneve, kompania e së cilës do të bënte mbikqyrjen e punimeve.
Aksi rrugor Korçë - Ersekë loti i dytë pjesa e parë, ka nisur të ndërtohet në vitin 2020, ndërsa në vitin 2022 u kërkua një financim shtesë prej afro 2.1 miliard lekësh. Ndërkohë mëngjesin e djeshëm, një pjesë e këtij akti është shkatërruar plotësisht duke rrezikuar jetën e kalimtarëve.
Prej ditës së djeshme qarkullimi është zhvendosur në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë. I gjithë aksi rrugor Korçë - Ersekë i nisur prej vitit 2013 ka kushtuar deri tani më shumë se 60 milion euro dhe ende punimet nuk kanë përfunduar në të gjithë lotet e tij.
Aksi Korçë Ersekë ishte parashikuar që të përfundonte së ndërtuari në qershor të këtij viti.
Aktualisht aksi rrugor Korçë-Ersekë, ka një gjatësi prej 45 kilometrash, ndërsa me përfundimin e segmentit të ri distanca shkurtohet në 35 kilometra.