Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë ditën e sotme në një deklaratë për media, pas lajmit për vdekjen e ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi.

 

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se Berlusconi ishte mik i madh dhe i çmuar i Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar.

 

“Dielli perëndoi përgjithmonë për Silvio Berlusconin. Silvio Berlusconi, italiani i madh dhe i pavdekshëm, themeluesi dhe udhëheqësi i Forza Italia, ish-kryeministri i shquar i Italisë, shtetari që lartësoi më shumë se kushdo tjetër, rolin e Italisë në Europë dhe botë, simboli i suksesit të inicativës së lirë, miku i madh i kombit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë. Kombi mik italian është sot në zi dhe së bashku me të, miqtë e Silvio Berlusconit në mbarë botën. Silvio Berlusconi ishte një mik i madh dhe i çmuar i Shqipërisë, i Kosovës, i kombit shqiptar, i PD-së dhe i imi personalisht. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për kombin mik italian, është një humbje e madhe për forcat politike të qendrës së djathtë në Europë dhe në botë.

 

Është një humbje e madhe për Shqipërinë, Kosovën, të cilat ai i mbështeti dhe në momente kritike me vendosmërinë më të madhe. Rikujtoj shqiptarëve se 24 vite më parë, kur Kosova digjej në flakët me operacionit ‘Patkoi’, Luani i Apenineve udhëhiqte opozitën italiane. Por kjo nuk e pengoi të mbështesë qeverinë italiane të majtë të asaj kohe, në vendimin për të autorizuar përdorimin e bazave të NATO-s për bombardimin e regjimit të Millosheviçit.

Në takime të shumta, që unë kam pasur me të në Itali, Shqipëri, Europë, kam ndjerë nga afër ndjenjat e tij më miqësore për shqiptarët, respektin e tij për kombin tonë”, tha Berisha.

 

Ai ka zgjedhur që përmes kësaj dalje për media të shprehë ngushëllimet e tij për familjen e Berlusconit dhe popullin italian. Berisha shprehu dëshirën të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Berlusconit.

 

“Me këtë rast, unë duke shprehur mirënjohjen time të pakufishme për miqësinë e tij ndaj meje, ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ndaj PD-së, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Berlusconi, miqve, të afërmve të Kavalierit të pavdekshëm. Do ta nderoj këtu me një minutë heshtje, kujtim e pavdekshëm të mikut të madh, Silvio Berlusconi”, shtoi ai.