Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, i pranishëm në tryezën me temë “Zgjedhjet 2025: Çfarë duhet të bëjë KQZ-ja për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve”, të organizuar nga KQZ me mbështetjen e OSBE-s u shpreh se mazhoranca nuk ka vullnet për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
“Rekomandimi i parë i OSBE-ODIHR është zbatimi i ligjit. Por, zbatim të ligjit nuk ka”, tha Bylykbashi, duke shtuar se “lajmi i keq sot është që Partia Socialiste e dështoi reformën zgjedhore. Fakti që dështoi për dy vite për një komision reforme, sigurisht nuk lë të kesh hamendësime që në një grup dialogu, që kishte më pak rregulla dhe garanci parlamentare, të kishte sukses në tre muaj”.
“Po ashtu, edhe shqetësimet reale që ka opozita për procesin zgjedhor pasi ka një rol thelbësor dhe të veçantë lidhur me këtë proces, sot me vendimet e marra, tregon se nuk ka dhe nuk do të ketë reformë që mund t’i zgjidh këto shqetësime”, shtoi Bylykbashi.
“Do të mbeten të deformuara mekanizmat me të cilat transformojnë votën e shqiptarëve në mandate, rezultati i procesit zgjedhorë do të mbetet ai që kemi parë. Kjo, edhe sikur të shtojmë volumin e votave, pra nëse fusim dhe votën e diasporës, sërish do të transformohen dhe transferohen nga ky mekanizëm. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë deri më sot që në dy vitet e fundit të mos gjendet mundësia për reformë zgjedhore”, tha Bylykbashi.
Sipas tij, reformë zgjedhore është bërë dhe në kushtet kur përplasja politike ka qenë më e ashpër.
Ai tha se edhe në vitin 2020 kur u votua reforma zgjedhore, Partia Socialiste gjeti mekanizma për të ndryshuar.
“Procesi zgjedhor qëllim kryesorë ka që vota e qytetarëve të hidhet e lirë, e fshehtë dhe pa presion dhe në fund të numërohet siç duhet. KQZ është konceptuar si organ që duhet të jetë si kontrollues dhe balancues mes tre organeve. Arsyeja që kemi shkuar drejt propozimit për balancimin e KQZ, është shumë e rëndësishme, por dhe kjo nuk u lejua siç duket”, tha Bylykbashi.
Sekretari për Çështjet Ligjore i Partisë Socialiste, Eridjan Salianji, tha se ishte Partia Demokratike që vendosi vijën e kuqe për sa i takon dialogut për reformën zgjedhore.
Salianji tha se PS ishte e hapur për dialog dhe për të diskutuar ndryshimet e kodit zgjedhor sipas kërkesës së OSBE, por PD u imponua që në fillim me një draft ku kërkohenin koalicionet parazgjedhore.
“Në sallën e punës, PD hartoi një draft dhe me atë draft u imponua në tryezën e dialogut. Aty u tha o miratohet ai draft, ose nuk kishte më diskutime nga PD për diskutime të tjera, dhe te ai draft nuk kishte asnjë ndryshim për sa i përket rekomandimeve të OSBE ODIHR, që ishte dhe arsyeja mbi të cilën u ngrit kjo tryezë”, tha Salianji.
“PS pranoi ta ngrinte këtë tryezë dialogu dhe vuri tema diskutimi ato çka raporti i OSBE kishte shqetësime për t’u adresuar. Ato çka KQZ donte të diskutonte nga tryezat e mëparshme të dialogut. Ndodhi që PD, kërkoi që në fillim që të mos vijonte ky dialog, hodhi draftin dhe kërkoi vendosjen e rregullave që nuk ishin problematika të evidentuara nga OSBE”, u shpreh Salianji.
“U tha që në 2021 u votua ndryshe, këtë vit duam të votohet ndryshe për çështje koalicionesh, PD i vuri vijën e kuqe të dialogut. PS në të gjitha tryezat ishte e hapur për të diskutuar draftin për sa i përket dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për votimin e emigrantëve. Pati diskutime dhe kundërshti për sa i përket regjistrimit të mënyrës se si do të kryhej regjistrimi i emigrantëve. U propozua regjistrimi nga gjendja civile e Ministrisë së Brendshme. Kjo u hoq dhe i’u la KQZ. PS e pranoi këtë fakt, që KQZ është një arbitër në mes. Si dhe sa i përket problematikave të tjera të cilat janë prekur nga raporti i OSBE. U kemi thënë hajde i diskutojmë të gjitha rekomandimet. Jo na është thënë, duam koalicionet parazgjedhore dhe pastaj të tjerat. Që këtu ska më dialog”, u shpreh Salianji.
Më tej, Salianji tha se emigrantët do të votojnë në zgjedhjet e rradhës. “Partia Socialiste e ka ndërmarrë nismën. Të djathtë dhe të majtë do të japin kontributin e tyre për votimin e këtij drafti. Për sa i takon problematikave, u fol për komisionet, e ka thënë dhe OSBE tek depolitizimi, që e kemi thënë dhe ne. Ne propozojmë një trup zgjedhor që do jetë në çdo zgjedhje, jo të ndërrohet sa herë të ketë zgjedhje”, tha Salianji./ata