Deputetja e Partisë Demokratike, kryetare e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Zheni Gjergji, në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, kërkoi që shkaqet e zjarrit që përfshiu Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të zbardhen sa më parë nga organet ligjzbatuese.

Sipas saj, qeveria duhet të marrë sa më parë masat për ofrimin e shërbimeve jetëshpëtuese për qytetarët.

“Një javë më parë urgjenca e spitalit më të madh në vend, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u përfshi nga zjarri duke nxjerrë jashtë funksioni shërbimet spitalore që ofroheshin aty. Godina e re e urgjencës është përuruar vetëm një vit më parë dhe ka kushtuar plot 17 milionë euro”, u shpreh Gjergji.

“Ndërkohë që shkaqet e rënies së zjarrit dhe përgjegjësit duhen zbardhur sa më parë nga organet ligjzbatuese, është e papranueshme që vetëm 2 ditë më parë QSUT ka njoftuar zhvendosjen e shërbimeve të urgjencës në Spitalin e Traumës dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi””, theksoi ajo

Sipas Gjergjit, qytetarë të shumtë në emergjencë shëndetësore janë përballur me dyert e mbyllura të Urgjencës së QSUT-së dhe iu është dashur t’iu drejtohen spitaleve të tjera të kryeqytetit, vonesë që ka rezultuar edhe fatale për pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në emër të grupit parlamentar të PD-së dhe Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë, ajo kërkoi me urgjencë zbardhjen e shkaqeve të zjarrit në QSUT dhe përgjegjësve.

“Tej çdo fasade dhe  jashtë çdo emocioni politik,  sot shëndetësia shqiptare është në kolaps dhe qytetarët janë ata që e vuajnë. Këto fakte dhe  mijëra  arsye  të tjera, janë moment për të protestuar dhe ngritur zërin”, theksoi Gjergji./ata