Deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri, në një postim në rrjetet sociale u ndal tek plakja e popullsisë, duke theksuar se PD ka gati programin politik për t’i dhënë frymëmarrje familjeve, biznesit, të rinjve dhe dinjitet pensionistëve e shtresave të tjera sociale.

Sipas Pampurit, “përgjatë dy dekadave te fundit popullsia e Shqipërisë është plakur me ritme të shpejta, gati dy herë më shumë se norma mesatare e plakjes së popullsisë në vendet e BE-së”.

“Edhe pse plakja e popullsisë mund të duket si një proces normal demografik i shteteve në zhvillim apo ato të zhvilluara, efektet socio-ekonomik që krijon kjo situatë, kërkojnë reagim dhe politika për ta përshtatur ndikimin në ekonominë e vendit por dhe për tregun e punës”, u shpreh ajo.

Sipas saj, mesatarisht Shqipëria humbet deri në 3% të PBB kosto oportune nga emigrimi çdo vit i profesionistëve.

“Shqiptarët meritojnë një qeverisje të përgjegjshme, transparente por mbi të gjitha që orientohet drejt zhvillimit e mirëqenies. Partia Demokratike e Shqipërisë, shumë shpejt do të prezantojë programin e saj qeverisës për t’i dhënë frymëmarrje familjeve, biznesit, të rinjve dhe dinjitet pensionistëve e shtresave të tjera sociale. Ky program do të mund të diskutohet dhe konsultohet me grupet e interesit si dhe komunitetet lokale në çdo bashki të vendit”, përfundoi Pampuri./ata