Me qëllim për të kundërshtuar sulmet në rrugët detare nga grupi jemenas Houthi, Bashkimi Evropian (BE) sot nisi një operacion të ri shoqërimi dhe mbrojtjeje detare në Detin e Kuq, thuhet në një deklaratë zyrtare.
“Operacioni ASPIDES do të sigurojë një prani detare të BE-së në zonën ku sulmet e shumta të Houthive kanë shënjestruar anijet tregtare ndërkombëtare që nga tetori 2023”, thuhet në një deklaratë të Këshillit të BE-së.
BE-ja dhe partnerët e saj ndërkombëtarë ndajnë të njëjtin mendim për të punuar që të sigurohet “liria e lundrimit, veçanërisht për anijet tregtare dhe komerciale”.
Operacioni mbrojtës synon të shoqërojë anijet dhe t’i mbrojë ato “kundër sulmeve të mundshme në shumë domene në det”.
Forcat do të vendosen “përgjatë linjave kryesore detare të komunikimit në ngushticën Baab al-Mandab dhe ngushticën e Hormuzit, si dhe ujërat ndërkombëtare në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit, Detin Arabik, Gjirin e Omanit dhe Gjirin Persik”, shpjegon deklarata.
Operacioni do të jetë me qendër në Greqi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell kishte njoftuar misionin në fund të muajit të kaluar.
Houthit kanë synuar anijet tregtare në Detin e Kuq, veçanërisht ato të destinuara për në Izrael, që nga vjeshta. Ata thonë se sulmet synojnë të bëjnë presion mbi Izraelin që të ndalojë sulmin e tij vdekjeprurës në Rripin e Gazës.
Kjo ka bërë që SHBA-ja dhe Britania të kryejnë sulme hakmarrëse ajrore kundër objektivave brenda Jemenit.
Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit./aa