Partia Popullore fitoi shumicën absolute në rajonin e Galicisë në Spanjë në zgjedhjet e së dielës, duke shuar shpresat e të majtës se mund t'i jepte fund sundimit 15 vjeçar konservator.

Duke fituar 40 vende në parlamentin me 75 vende, Alfonso Rueda u rizgjodh për të udhëhequr bastionin konservator në Spanjën veriperëndimore. Rezultatet ishin veçanërisht të zbehta për partitë në qeverinë e koalicionit të Spanjës, Partinë Socialiste dhe Sumar. Socialistët fituan 9 nga 75 vendet në dispozicion, nga 14 sa kishin në vitin 2020.

Partia e ekstremit të majtë Sumar, e kryesuar nga zëvendëskryeministrja e dytë e Spanjës, Yolanda Diaz, e cila është nga Galicia dhe që bëri fushatë në rajon, nuk arriti të fitojë asnjë vend. Partia kryesore opozitare do të mbetet Blloku Nacionalist Galician i krahut të majtë (BNG), një parti tjetër me interesa rajonale në tryezën e gjerë të ngjyrave politike të Spanjës duke fituar 25 vende.

Partia e ekstremit të djathtë Vox dhe partia e ekstremit të majtë Podemos gjithashtu nuk arritën të fitojnë vota të mjaftueshme për të hyrë në qeverinë rajonale. Udhëheqësi kombëtar i Partisë Popullore të Spanjës, Alberto Nunez Feijoo, i cili është gjithashtu nga Galicia dhe më parë ishte president i rajonit, festoi fitoren e së dielës me ekipin e tij.

Kreu konservator i Andaluzisë, Juanma Moreno, uroi për fitoren në X, duke i përshkruar rezultatet si "një triumf të moderimit dhe ekuilibrit", dhe shtoi se këto rezultate do të "së shpejti do të përhapen në të gjithë Spanjën" nën udhëheqjen e Feijoo-s.

Në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Spanjë në korrik, Feijoo ishte kandidati më i votuar. Megjithatë, ai nuk arriti të fitonte shumicë absolute dhe nuk ishte në gjendje të mblidhte mbështetjen e nevojshme për të formuar qeveri në Parlamentin shumë të përçarë të Spanjës.

Udhëheqësi i partisë nacionaliste të krahut të majtë katalonjas ERC, Gabriel Rufian tha se ishte "i frymëzuar" nga "rezultati i jashtëzakonshëm" i BNG. "BNG kaloi nga lufta për mbijetesën e saj në garën për të qeverisur në Galicia", postoi ai në X.

Derisa BNG lufton për interesat rajonale të Galicisë dhe synon vetëvendosjen, partia nuk e ka prioritet sigurimin e pavarësisë së Galicias./aa