Pas fitores 2-1 në derbi Partizani do zbresë të martën në fushë në orën 13:30 për të diskutuar përballjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Përballë do jetë Kukësi i vendit të fundit, por që në këtë sfidë debuton si trajner Bledar Devolli, i cili mori vendin e të larguar Emiljano Çela.
“Është çerekfinale dhe objektivi ynë është të shkojmë sa më larg tek të dy trofetë. E kemi vlerësu ndeshjen nesër jo duke e parë nga pozicioni skuadrën, por duke menduar se është çerekfinale dhe objektivi është të shkojmë në çrekfinale,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Partizanit.
Ndërkohë te Tirana djeg ende humbja në derbi pavarësisht se të mërkurën në orën 17:00 luan kundër Teutës në Durrës çerekfinalen e parë.
“Nëqoftëse do kishim humbur një derbi pa bërë lojë, siç po trajtohet, atëherë do ishte një frikë. Mirëpo tani nuk ka nëvojë fare për panik sepse kemi prodhuar lojë dhe për shkak të dy gabimeve jemi ndëshkuar. Na jemi siguri vazhdimësia, loja, por duhet thënë se futbolli është lojë gabimesh dhe duhet të gabojmë sa më pak që të shkojmë te rezultati,”-tha Julian Ahmataj, trajner i Tiranës.
Teuta për bardheblutë është një kundërshtar i rrezikshëm, pasi në javët e fundit ka nisur të fitojë.
“Asgjë nuk vendoset në ndeshjen e parë, por duhet të jemi të fortë, të vendosur sepse edhe kupa është objektiv i klubit,”-u shpreh Julian Ahmataj, trajner i Tiranës.
Dy çerekfinalet e tjera të Kupës, Erzeni-Vllaznia dhe Laçi Egnatia luhen të mërkurën, ndërsa kjo është edhe faza e parë ku fituesi përcaktohet me dy ndeshje, vajtje dhe ardhje.