Të ardhurat e mbledhura në buxhet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, gjatë vitit 2023 rezultojnë 192.3 miliardë lekë.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mbi treguesit fiskal, të ardhurat nga TVSH në import për 12-mujorin rezultojnë 146.4 miliardë lekë, 10.5 miliardë lekë ose 6.7% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 6.3 miliardë ose 4.1% më pak se plani për 12-mujorin 2023.

Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit u realizuan në masën 45.9 miliardë lekë, 11.4 miliardë ose 33.1% më shumë se 12-mujori 2022, si dhe 1.4 miliardë ose 2.9% më pak se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 12-mujorin 2023.

Rimbursimet për periudhën 12-mujore 2023 janë 22.6 miliardë lekë, 133 milionë lekë ose 0.6% më shumë se 12-mujori 2022.

Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në 2024-ën parashikohet të jenë rreth 211.2 miliardë lekë, 11.2 miliardë lekë ose 5.6% më shumë se pritshmëria për vitin 2023.

Si burime të rritjes së të ardhurave nga TVSH, MFE rendit gjenerimin nga rritja ekonomike shtesë dhe indeksi i çmimeve, rritjen e të ardhurave nga sektorë në ekspansion si turizmi, akomodimin dhe gjithë sektorët e tjerë të zinxhirit ekonomik që furnizojnë turizmin, si dhe përmirësimin e administrimit të TVSH-së nga sistemi i fiskalizimit dhe konsolidimin e faturimit elektronik./ata