Drama “Dashuritë e presidentit” erdhi në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me bashkëpunimin e qendrës për zhvillim social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor “Smek”.

Drama me regji të Andi Begollit, është shkruar nga shkrimtari bashkëkohor kroat, Miro Gavran. Ajo trajton një moment delikat e tronditës. Menjëherë pas vdekjes së presidentit të parë të SHBA-së, George Washington, gruaja e tij Marta, fton në shtëpinë e saj, ish-të dashurën e burrit. Një përballje e fortë, plot emocion, ku dy rivalet për herë të parë zbulojnë fakte dhe ngjarje të reja, që do t’i ndryshojnë ato rrënjësisht.

Drama vjen me interpretimin e Luiza Xhuvanit, Kristiana Dodajt, Kevin Rrapajt e Greta Bacit. Një dramë psikologjike e gjithashtu një dramë dashurie që vendos përballë dy gra të ndryshme mes tyre, në një përballje sa të fortë aq edhe të vërtetë, plot frikëra, intriga, dobësi, emocion dhe të vërteta të thëna në sy.

Krijuesit e tjerë të kësaj shfaqjeje janë: Robert Nuha për mjeshtërinë plastike, Desantila Lika për skenografinë dhe Altin Lala për kostumet.

Autori i veprës, Miro Gavran, ka lindur në Kroaci më 3 maj të vitit 1961. Ai është i njohur për novela e drama. Veprat e tij janë përkthyer në 40 gjuhë të ndryshme, duke e bërë një nga shkrimtarët kroatë më të përkthyer./ata