Pas zjarrit të rënë në Urgjencën e re të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë më 11 shkurt, një pjesë e urgjencave dhe ndërhyrjeve janë transferuar në Spitalin e Traumës.

Drejtoresha e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode tha në një intervistë televizive se “Spitali i Traumës trajton mesatarisht 200-220 urgjenca në ditë. Kanë qenë po kaq, sepse sipas sezoneve edhe këtu numri i urgjencave që paraqiten në ditë nuk është i njëjtë. Jemi në një periudhë jo të fluksit turistik të aksidenteve dhe traumave që trajton ky spital”.

Shërbimet e QSUT-së që aktualisht janë transferuar tek Trauma janë kirurgjitë abdonimale dhe hemorragjitë gastrointestinale.

“Qytetarët përveç traumave, drejtohen për urgjenca të kirurgjisë abdominale dhe hemorragji gastrointestinale. Ka dhe mjekë e personel infermieror, edhe mjekë që paraqiten fizikisht në spital për të qenë përkrah mjekësve të Spitalit të Traumës, edhe ata që janë në gatishmëri në rast nevoje”, theksoi Bode.

Sipas saj, koordinimi ka qenë i shkëlqyer mes spitaleve, edhe me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Shëndetësore, pra 127-a.

“Ne jemi të njoftuar paraprakisht edhe nga spitalet rajonale, kur ata nisin një pacient, në mënyrë që të përgatitemi për natyrën e rastit dhe çfarë nevojash ka”, shtoi ajo.

Gjithashtu edhe në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” janë transferuar një pjesë e urgjencave dhe ndërhyrjeve.

Si pasojë e një defekti teknik në një nga dhomat e shërbimeve teknike 6 ditë më parë, në katin -1 të godinës së Urgjencën e re të QSUT, për të mos cenuar shërbimin e urgjencës për qytetarët bazuar në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”./ata