Drejtoresha e Spitalit Memorial të Fierit, Rudina Degjoni tha sot se në këtë spital është ofruar shërbim për 500 urgjenca mjekësore, për qytetarët e Fierit, Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës.
Në një intervistë televizive Degjoni theksoi se pas zjarrit të rënë në katin -1 të Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një nga dhomat e shërbimeve teknike, bazuar në urdhrin e dalë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u morën masa që pacientët e rajonit të Jugut, përfshirë edhe Beratin, për herë të parë përfitojnë urgjencën mjekësore në Spitalin Memorial në Fier.
“Janë rreth 500 urgjenca mjekësore të ofruara vetëm në këto 10 ditë, kemi ofruar urgjenca mjekësore 24 orë për shërbimin e kardiologjisë dhe sëmundjeve të brendshme dhe për të gjitha ato sëmundje të tjera me diagnozë ortopedike”, nënvizoi Degjoni.
Degjoni u shpreh se, “bazuar edhe në urdhrin e ministres Koçiu janë hartëzuar dhe mirëpërcaktuar udhëtimi i pacientit se ku ata do ta marrin shërbimin e tyre”.
Sipas saj, situata është menaxhuar më së miri dhe ajo që duhet theksuar është fakti se asnjë qytetar nuk ka mbetur pa shërbim shëndetësor.
“Aktualisht ne po ofrojmë shërbime mjekësore për qytetarët e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Beratit. Për herë të parë po ofrohet shërbim për qytetarët e Beratit, pasi më parë ata ishin të hartëzuar për t’u referuar në Urgjencën e QSUT-së në Tiranë ose në Elbasan”, tha Degjoni.
Ajo shtoi se në spitalin Memorial po punohet në 24/7 me të gjitha kapacitetet, me burimet njerëzore të mirorganizuara dhe mirëmenaxhuara për t’u ofruar qytetarëve çdo shërbim në kohë kur ata kanë nevojë.
“Situata duket e normalizuar dhe nuk është një numër i vogël, qytetarët e kanë marrë shërbimin”, tha Degjoni.
Si pasojë e një defekti teknik në një nga dhomat e shërbimeve teknike 6 ditë më parë, në katin -1 të godinës së Urgjencën e re të QSUT, për të mos cenuar shërbimin e urgjencës për qytetarët bazuar në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit e Beratit po marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brendshme e atë ortopedike në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarkun Shkodër dhe Lezhë trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër./ata