Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi përkujtoi sot dëshmorin e atdheut, kapiten Feti Voglin, i cili 12 vite më parë mbeti i vrarë gjatë misionit në Kandahar.

“Lavdi përjetë dëshmorit të atdheut kapiten Feti Voglit! I përjetshëm në memorien e Forcave të Armatosura”, shkroi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.

Më 20 shkurt të vitit 2012 kapiten Feti Vogli ra heroikisht gjatë kryerjes së misionit COMBAT “Eagle 4”, në Kandahar të Afganistanit.

Kapiten Feti Vogli, lindi në fshatin Baldushk të Tiranës. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në specialitetin Artileri Tokësore, u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës, Bunavi. Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më 16 korrik 2005 u bë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi.

Nga data 1 qershor 2010 kreu detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak karriere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje të ndryshme si: Medalja e Karrierës në vitin 2007 nga komandanti i Forcës së Bashkuar. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2007. Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.

Nga data 16 janar 2012 u dërgua me mision luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit./ata