Zyrtari i lartë i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) për territoret e pushtuara palestineze, Jonathan Whittall lidhur me spitalin "Nasser" në jug të Gazës tha se "Ky vend këtu është bërë një vend vdekjeje, jo shërimi".

Përmes një postimi nga platforma e medias sociale X të OCHA-s, Whittall bëri një vlerësim lidhur me spitalin "Nasser" të cili Izraeli fillimisht e rrethoi dhe më pas e bastisi.

Ai theksoi se në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Gjysmëhënën e Kuqe Palestineze dhe OCHA-n mori pjesë në misionin për transferimin e 32 pacientëve në gjendje kritike nga spitali "Nasser" më 18-19 shkurt. Whittall shpjegoi kushtet e tmerrshme në spital.

"Pacientët këtu ishin në gjendje të mjerueshme. Ky vend këtu është bërë një vend vdekjeje, jo shërimi", deklaroi ​​​​​​​Whittall.

Sipas tij, pacientët që duhet të transferohen urgjentisht janë në gjendje të mjerueshme. Whittall tha se në spital shkuan me 4 ambulanca por se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Më tej thuhet se ka arritur në 8 numri i të vdekurve në Departamentin e kujdesit intensiv të spitalit "Nasser", të cilin Izraeli e ktheu në një kazermë ushtarake pasi i ndërpreu energjinë elektrike dhe i pengoi funksionimin e pajisjes së oksigjenit./aa