Shumë linja ajrore nuk kanë fluturuar në Izrael që nga fillimi i sulmeve në Rripin e Gazës në tetor, dhe Izraeli është bërë një "vend i izoluar si Koreja e Veriut", ka thënë Yossi Fattal, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Izraelit.

Fattal ka thënë se 250 linja ajrore operonin në Izrael përpara sulmeve në Gaza, por numri ka rënë në 45 më pas, sipas të përditshmes izraelite Maariv.

"Izraeli është plotësisht i izoluar nga bota, pasi aktualisht, 80 për qind e fluturimeve në Izrael kryhen me avionë që i përkasin kompanisë izraelite El Al Airlines", ka shtuar ai.

Turizmi në rënie i Izraelit krahasohet me Korenë e Veriut

Numri i turistëve që vijnë në Izrael ka shënuar një rënie serioze pas sulmeve në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023.

Ndërsa 900.000 turistë pritej të vizitonin Izraelin në periudhën tremujore pas fillimit të sulmeve në Gaza, ky numër u regjistrua në 190.000, sipas raportit të janarit të publikuar nga e përditshmja izraelite Calcalist.

"Izraeli është i shkëputur nga bota për sa i përket aviacionit, i izoluar si Koreja e Veriut", ka thënë Fattal.

Fattal e ka quajtur fitore të Hamasit gjendjen aktuale të izoluar të Izraelit, duke theksuar se Izraeli duhet të kishte bërë të mundur që turistët të vizitonin ende vendin pavarësisht luftës.

"Do të duhen të paktën gjashtë muaj që Izraeli të rivendosë imazhin e tij dhe të rikthejë linjat ajrore dhe do të duhen dy ose tre vjet që sektori i turizmit të rimëkëmbet", ka shtuar ai.

Sulmet izraelite në Gaza pas 7 tetorit

Krahu ushtarak i grupit të rezistencës palestineze Hamas, Brigadat Izz ad-Din al-Qassam, nisi një sulm në shkallë të plotë ndaj Izraelit për t’iu përgjigjur shkeljeve të vazhdueshme kundër palestinezëve dhe vendeve të shenjta, veçanërisht Xhamisë Al-Aksa, duke rezultuar në 1.200 të vdekur dhe 5.132 të plagosur nga pala izraelite, sipas statistikave të vendit.

Që nga sulmi i 7 tetorit, rreth 30.000 palestinezë, mbi 12.000 prej tyre fëmijë dhe pothuajse 9.000 gra, janë vrarë dhe rreth 70.000 njerëz janë plagosur gjatë sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

Forcat izraelite të mbrojtjes kanë thënë se 576 nga trupat e tyre janë vrarë deri më tani.

Në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, 403 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm që nga 7 tetori./aa