Qeveria e Japonisë tha se ka planifikuar të dërgojë ndihmë shtesë prej 32 milionë dollarësh në Rripin e Gazës nën pushtimin e Izraelit.

Ministrja e Jashtme e Japonisë, Yoko Kamikawa mbajti një fjalim në Takimin e Ministrave të Jashtëm të G20 që u mbajt në Rio de Janeiro të Brazilit. Situatën humanitare në Rripin e Gazës që ndodhet nën pushtimin dhe sulmet e Izraelit, Kamikawa e cilësoi si "kritike" dhe tha se ka "shqetësim serioz".

Ajo thotë se ka "shqetësim të thellë" për sulmet në qytetin Rafah dhe kërkoi nga palët të "veprojnë me perspektivën humanitare".

Ministrja japoneze njoftoi se vendi i saj ka planifikuar të dërgojë ndihma humanitare shtesë në vlerë prej 32 milionë dollarësh për civilët që jetojnë në Gaza. Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme japoneze, ndihma humanitare do të dërgohet në rajon përmes institucioneve ndërkombëtare.

Ndërkohë, Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) nuk do të aktivizohet gjatë procesit të dërgimit. Qeveria japoneze njoftoi se do të ofronte ndihmë humanitare prej 10 milionë dollarësh në tetor dhe 65 milionë dollarësh në nëntor të vitit të kaluar.

Shefja e diplomacisë japoneze Kamikawa në kuadër të Takimit të Ministrave të Jashtëm të G20 zhvilloi takime të ndara me ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë së Madhe./aa