Qeni i presidentit amerikan Joe Biden, Commander, i cili u hoq nga Shtëpia e Bardhë në tetor 2023 për shkak të agresionit të tij, ka kafshuar të paktën 24 punonjës të Shërbimit Sekret, raportoi media amerikane.

Sipas CNN-it, janë bërë publike dokumentet në lidhje me qenin e racës bari gjerman Commander, në kuadër të Aktit të Lirisë së Informacionit (FOIA).

Qeni, i cili është bërë i njohur me rastet e tij të agresionit dhe kafshimit, është dokumentuar se ka kafshuar të paktën 24 pjesëtarë të Shërbimit Sekret midis tetorit 2022 dhe korrikut 2023.

Në dokumente thuhet se qeni Commander i ka kafshuar personat në fjalë në kyçet e dorës, krahë, bërryla, bel, gjoks, këmbë dhe shpatulla.

Media amerikane raportoi se dokumentet, të cilat nuk përfshijnë të gjitha rastet e kafshimit të Commanderit, mbulojnë vetëm personelin e Shërbimit Sekret.

Qeni i presidentit Biden u hoq nga Shtëpia e Bardhë në tetor 2023 për shkak të agresionit të tij dhe rasteve të kafshimit.

Qeni i racës bari gjerman iu dha Bidenit si dhuratë nga vëllai i tij James Biden në dhjetor 2021./aa