Presidenti i SHBA-së Joe Biden siguroi të enjten të venë dhe vajzën e liderit rus të opozitës Alexey Navalny se vendi do të vendosë sanksione të reja “të mëdha” kundër Moskës këtë javë në kundërpërgjigje për vdekjen e tij.

Biden u takua në San Francisko të Kalifornisë me Yulia dhe Dasha Navalnaya “për të shprehur ngushëllimet e tij të përzemërta për humbjen e tyre të tmerrshme”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Gjatë takimit me dyer të mbyllura, Biden ka theksuar se “trashëgimia e Alexeyt do të vazhdojë përmes njerëzve në gjithë Rusinë dhe në mbarë botën që vajtojnë humbjen e tij dhe luftojnë për lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

“Ai pohoi se administrata e tij do të shpallë sanksione të reja të mëdha kundër Rusisë nesër në përgjigje të vdekjes së Alexeyt, represionit dhe agresionit të Rusisë dhe luftës së saj brutale dhe të paligjshme në Ukrainë”, shtoi Shtëpia e Bardhë.

Navalny vdiq në një burg javën e kaluar. Rrethanat e vdekjes së tij mbeten të paqarta.

Biden ia ka hedhur fajin presidentit Vladimir Putin, duke thënë javën e kaluar se vdekja e tij është “provë” e “brutalitetit” të presidentit rus.

Lyudmila Navalnaya, nëna e Navalnyt, tha në një video të publikuar më herët të enjten se ajo ishte në gjendje të shihte trupin e djalit të saj në një morg, por shtoi se autoritetet ruse po bllokojnë transferimin e tij derisa familja të pranojë ta varros atë me dyer të mbyllura, duke e përshkruar këtë si akt “shantazhi” me urdhër të Kremlinit apo autoriteteve të tjera.

“Ata duan që kjo të bëhet fshehurazi, pa lamtumirë. Ata duan të më sjellin në periferi të varrezës, në një varr ‘të freskët’ dhe të thonë: “Ja ku është djali juaj”, tha ajo duke iu referuar funeralit të Navalnyt.

“Unë nuk jam dakord me këtë. Unë dua që ju, që kujdeseni për Alexeyn, dhe për të cilin vdekja e tij ishte një tragjedi personale, të keni mundësinë t’i thoni lamtumirë”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk mund të konfirmojë “shantazhin” e pretenduara nga nëna e Navalnyt, por e dënoi situatën.

“Nuk mjafton që ajo të arrijë të shohë trupin e djalit të saj. Ajo duhet të jetë në gjendje të marrë trupin e djalit të saj në mënyrë që të mund ta përkujtojë siç duhet djalin e saj, guximin, kurajën dhe shërbimin e djalit të saj, dhe të bëjë të gjitha gjërat që çdo nënë do të dëshironte të bënte për një djalë të humbur në një mënyrë kaq tragjike”, tha ai.

“Rusët duhet t’i kthejnë djalin e saj dhe duhet të përgjigjen për atë që i ndodhi z. Navalnyt dhe të pranojnë se ata, në fakt, janë përgjegjës për vdekjen e tij”, shtoi ai./aa