Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj reagoi sot në një postim në rrjetet sociale për qëndrimet e mbajtura nga Kryeministri Edi Rama në OKB.

 

“Qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, jo vetëm që janë të drejta por konfirmojnë edhe njëherë të drejtën e Kosovës për anëtarësim në OKB dhe në institucionet euro-atlantike dhe të drejtën e Ukrainës që ta fitojë luftën kundër agresionit rus”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri Edi Rama drejtoi dje në selinë e OKB në Nju-Jork, Debatin e Hapur të Nivelit të lartë, ku Presidenca Shqiptare e Këshillit të Sigurimit drejton një nga sesionet më të rëndësishme me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”.

 

 

Në fjalën e tij, Rama deklaroi se “në fakt Rusia e të tjerë janë përpjekur ta përdorin apo më shumë ta keqpërdorin realitetin e ndryshuar në Ballkanin Perëndimor sidomos lindjen e Republikës së Kosovës për të justifikuar ëndrrat e tyre neo-imperiale apo makthet e tyre që kanë eksportuar në Ukrainë”.

 

“Pavarësisht se sa përpiqeni, Kosova, pavarësia e së cilës është sanksionuar, nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, kreu 14 i kësaj karte të Kombeve të Bashkuara. Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh apo aneksim të paligjshëm”, tha Rama.