Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në biseda të ndara telefonike ka diskutuar zhvillimet në Rripin e Gazës me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi dhe Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al-Thani.
Presidenca egjiptiane njoftoi se Biden dhe al-Sisi në një bisedë telefonike shqyrtuan përpjekjet e përbashkëta të Egjiptit, SHBA-së dhe Katarit për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, së bashku me përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare në Gazën e shkatërruar nga lufta.
Sipas njoftimit, presidenti egjiptian theksoi nevojën për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm që do të sillte lehtësim për palestinezët në Gaza.
Presidenti egjiptiane gjithashtu tha se arritja e një armëpushimi është një prioritet për të rivendosur stabilitetin në rajon.
Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve e Katarit (QNA) raportoi se Al-Thani në bisedën telefonike me Biden diskutoi “zhvillimet e fundit në Gaza dhe territoret e pushtuara palestineze”.
Të dy liderët diskutuan edhe përpjekjet e Katarit që “synojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Gaza”.
Përfaqësues nga Katari, Egjipti, SHBA-ja dhe Izraeli u takuan javën e kaluar në Paris për të diskutuar propozimet për një armëpushim që përfshin një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve, por deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur, sipas Tel Avivit, u vranë më pak se 1.200 njerëz.
Që atëherë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 30.035 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 70.500 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa