Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë zhdukur, njoftuan autoritetet e qytetit të premten në mëngjes, pasi një zjarr përfshiu dy ndërtesa të mëdha banimi në qytetin spanjoll të Valencias.

"Mund të konfirmojmë vetëm atë që kemi parë, që në këtë moment janë katër persona (të vdekur)", tha para mediave Jorge Suarez, nëndrejtor i shërbimeve të urgjencës në Valencia.

Kryetari i Qeverisë së Valencias, Carlos Mazón, tha se 15 persona u plagosën, pesë prej të cilëve ishin zjarrfikës dhe asnjë nuk është në gjendje të rëndë.

Ekspertët u thanë mediave spanjolle se ndërtesat ishin të veshura me poliuretani, materiali i njëjti që ishte përdorur për izolim në Kullën Grenfell në Londër, e cila u përfshi nga flakët në vitin 2017, ku humbën jetën 72 njerëz.

Skenat mes dy zjarreve ishin të ngjashme, ndërtesat në Londër dhe Valencia u përfshi nga flakët brenda rreth 30 minutash nga shpërthimi i zjarrit, duke shkaktuar shtëllunga të trasha tymi të zi.

"Poliuretani në fasadë e ktheu ndërtesën në një oxhak", tha për El Mundo vlerësuesi i sigurimeve Juan Antonio Diego, i cili dinte detajet e ndërtesës. "Është një material sintetik që jep performancë të mirë termike... por është i ndezshëm", u shpreh ai.

Zjarrfikësit arritën të shpëtonin dy persona që po qëndronin në ballkonet e tyre. Një zjarrfikës u desh gjithashtu të hidhej nga kati i dytë duke ikur nga flakët.

Esther Puchades, nënkryetare e Kolegjit të Inxhinierëve Teknik Industrial të Valencias, i tha transmetuesit "Cadena Ser" se shumë nga ndërtesat e tjera në zonën e re të banimit në qytet mund gjithashtu të kenë fasadë poliuretani.

Raportet e mediave thanë se zjarri shpërtheu në katin e tetë dhe u përhap në dy pallatet e ngjitura ku jetojnë rreth 450 njerëz.

Valencia ka shpallur tre ditë zie, e cila përfshin pezullimin e festivalit të famshëm Las Fallas./aa