Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) ndaj Kosovës nuk po mund të hiqen për shkak të paqartësive të brendshme në BE.

Duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, zv.kryeministri Bislimi tha se masat e vendosura nga BE-ja në muajin qershor të vitit 2023 erdhën për shkak të eskalimit të situatës në veri të vendit më 26 maj, kur protestuesit sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, gazetarët dhe qytetarët dhe këtu "ka ekzistuar një bindje se Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte më shumë për de-eskalimin e situatës".

Bislimi, megjithëse theksoi se në letrën që i është dërguar Kosovës nga BE-ja rreth këtyre masave, bëhet e ditur se ato janë të përkohshme dhe të kthyeshme, largimi i tyre nuk ka ndodhur ende.

"Me gjasë ka paqartësi brenda vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por, ka edhe presion dhe frustrim tek disa vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetarë të komunave në veri në zyrat e tyre të cilët kanë fituar përmes zgjedhjeve legjitime, ndërsa Serbia nuk ka masa edhe pas agresionit terrorist që ka bërë në Banjska të Zveçanit. Domethënë, ka një qasje krejtësisht të pabalancuar të Bashkimit Evropian dhe një qasje e cila ka dëmtuar vendin tonë", theksoi Bislimi.

Megjithëse masat e BE-së, siç tha Bislimi, janë të kufizuara vetëm në takime të nivelit të lartë "takimet po vazhdojnë dhe këtë të marte do të kemi prapë vizitë nga dikush nga Brukseli në Prishtinë".

Masat të cilat u vendosën gjatë muajit qershor 2023 për Kosovën nga Bashkimi Evropian, përfshinë ndër tjerash pezullimin e punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, programin e fondeve IPA, përjashtimin e Kosovës në ngjarje të nivelit të lartë të BE-së, vizitat dypalëshe, përveç atyre me fokus adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe procesit të dialogut Kosovë-Serbi./aa