Nga Lorenzo Drigo, Il Sussidiaro
Thellohet më tej hetimi mbi të ashtuquajturin “skandali i gjakut të infektuar”, që ka pushtuar faqet e para të gazetave britanike që nga fillimi i viteve 2000. Hetimi mbi këtë çështje ka nisur që nga viti 2017, dhe duhet të përfundojë deri më 20 maj, kur edhe do të publikohen rezultatet e punës voluminoze të kryer nga hetuesit.
Një e dhënë akoma më e tmerrshme u zbulua nga televizioni britanik BBC, i cili arriti të shtjerë në dorë dokumente procedurale mbi gjakun e infektuar, të cilat do të bëhen publike pas një muaji. Këto të fundit tregojnë se në mesin e pacientëve të përfshirë ka edhe shumë fëmijë.
Historia i ka rrënjët në dëshminë e Luk Filips, sot 42-vjeç, ndër të mbijetuarit e paktë të asaj periudhe të errët të sistemin shëndetësor anglez. Ai deklaroi për BBC-së se ishte shtruar në spital për një infeksion të hepatitit C në vitin 1985, kur ishte vetëm 3 vjeç.
Filips tha se u trajtua “pa lejen e nënës së tij” me Faktorin VIII, një produkt gjaku i njohur (si tani, ashtu edhe në atë kohë) si i rrezikuar nga infeksionet, por shumë efektiv në frenimin e hemoragjisë. Atij dhe shumë pacientëve të tjerë pak a shumë të së njëjtës moshë iu injektua pikërisht ky produkt i gjakut.
Mjekët ishin të vetëdijshëm se ai mund të ishte i infektuar, por duket se ata donin të kuptonin nëse një trajtim termik (me ngrohje) mund të zvogëlonte rreziqet. Pra një eksperiment mbi njerëz si Filips që u trajtuan si kaviet në testet klinike. “Ato eksperimente mund të më kishin marrë jetën, siç ndodhi me shumicën e pacientëve të tjerë”- thotë sot Filips.
Të paktën 2.400 të vdekur
Krahas eksperimentimit me fëmijët (përmasat aktuale të të cilit janë ende të vështira për t’u kuptuar, edhe pse supozohet se janë përfshirë qindra e qindra prej tyre), vlerësohet se të paktën 2.400 njerëz vdiqën, të infektuar me virusin HIV apo hepatitin C.
BBC pretendon se qeveria angleze ishte në dijeni të kësaj situate. Megjithatë vendosi (pavarësisht rreziqeve të dukshme) që t’i financonte eksperimentet, ndoshta duke kontribuar edhe në fshehjen e gjithë skandalit dhe dëmeve të rënda të shkaktuara nga gjaku i infektuar.
Deri më sot, gjetja e përgjegjësve është krejtësisht e pamundur, sidomos pasi bëhet fjalë për mjekë që kanë punuar në vitet 1970-1980, dhe që në pjesën më të madhe nuk jetojnë më. Por prej dekadash nuk ndalen kërkesat e familjarët e viktimave, sidomos të atyre që janë ende gjallë por kanë pësuar dëmtime të pariparueshme (si rasti i Filips).
Arsyet teknike të skandalit, lidhen me faktin se produktet e gjakut ishin në mungesë në Mbretërinë e Bashkuar në vitet 1970. Në ato kushte, sistemin shëndetësor britanik, u detyrua të blinte gjak për transfuzion nga Shtetet e Bashkuara, i cili u zbulua se ishte i infektuar, pasi ishte marrë nga të burgosurit dhe ish-përdoruesit e drogës./TeSheshi