Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë), iu ka thënë atyre dhe shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, që është e nevojshme që Bashkimi Europian të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti u ka thënë ambasadorëve se arsyet për të cilat janë vendosur masat ndëshkuese kanë pushuar në shtator të vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, raportojnë mediat në Kosovë.
Në komunikatë është bërë e ditur se qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.
“Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftim.