gjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka hapur thirrjen për punësime pranë taskforcës së ngritur për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujërat larës.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se janë hapur aplikimet dhe se AKUK garanton një proces transparent.
“Bashkohu me ekipin e taskforcës për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujërat larës. Aplikimet janë hapur. AKUK garanton një proces të drejt dhe transparent”, u shpreh ajo.
Në fillim të këtij muaji është ngritur taskforca e dedikuar për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura në sektorin e turizmit bregdetar.
Kjo taskforcë ngrihet për të mbrojtur e përmirësuar cilësinë e ujërave në plazhet buzë detit, liqeneve apo lumenjve, në prag të nisjes së sezonit turistik 2024.
Subjektet e industrisë turistike kanë detyrimin të pajisen me impiantet e duhura, për të pasur zero ndotje në ujërat larës.
Subjektet kanë 90 ditë kohë për të vendosur impiantin e përpunimit të ujërave të ndotura. Pas 90 ditësh taskforcës i lind e drejta e vendosjes së masës së parë administrative dhe i jep afat subjektit 60 ditë për të plotësuar detyrimet. Nëse edhe pas këtij afati nuk ka marrë masat e duhura, taskforca merr masa të tjera të përcaktuara që shkojnë deri në mbylljen e aktivitetit.
83 % e territorit të zonave urbane është i mbuluar me kanalizime, ndërkohë që zonat rurale janë diku tek 18 %./ata