cMinistria e Financave publikoi për konsultim publik Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave për periudhën 2024-2027 që paraqet të detajuara reformat që do të ndërmerren në politikat tatimore, mirëadministrimin tatimor dhe doganor, të cilat së bashku do të sjellin rritje të të ardhurave tatimore me 2.5% e Produktit të Përgjithshëm Bruto (PBB) për periudhën katërvjeçare.

Reformat kryesore tatimore dhe administrative të parashikuara në SAA, janë hartuar me asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe janë të bazuara në direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e tatimeve, taksave dhe doganave.

Për periudhën afatmesme, 2024-2027, të ardhurat tatimore të buxhetit parashikohet të rriten me 2.5% e PBB në krahasim me vitin 2023. Rritja do gjenerohet nga rritja e të ardhurave nga politikat fiskale me rreth 0.33% e PBB, rritja e të ardhurave nga mirëadministrimi tatimor, me 1.96% e PBB dhe rritja e të ardhurave nga mirëadministrimi doganor, me 0.17% e PBB.

Synohet që nëpërmjet zbatimit të masave shtesë që do parashikohen në draftstrategjinë e rishikuar, të ardhurat totale të buxhetit në vitin 2030, ku përfshihen krahas të ardhurave tatimore edhe të ardhurat jotatimore dhe ato nga grantet, të arrijnë në mbi 30% të PBB-së, ku pjesa më e rëndësishme është rritja e të ardhurave nga përmirësimi i politikave të administrimit tatimor.

Propozohet rishikimi i politikës tatimore të tatimeve mbi konsumin, rishikimi i politikës tatimore të tatimeve dhe taksave direkte, si dhe rishikimi i politikës tatimore të taksës mbi pasuritë e paluajtshme.

Në këtë strategji propozohet zvogëlimi i hendekut të pajtueshmërisë në lidhje me TVSH-në, ulja e pagesave me para në dorë në ekonomi, verifikimi i të ardhurave dhe kontrolli i pasurive të pajustifikuara, zvogëlimi i shmangies tatimore, reduktimi i punës së padeklaruar dhe të nëndeklarimit të pagës reale, reduktimi i kostove të pajtueshmëris dhe rritja e sigurisë tatimore dhe besimit tek administrata tatimore.

Në lidhje me mirëadministrimin doganor propozohet modernizimi i proceseve të biznesit, duke përfshirë centralizimin e funksionit të profilizimit të riskut, zhvillimi i aftësive të zgjeruara analitike të të dhënave, rritja e investimeve në zhvillimin e sistemeve të Teknologjisë së Informacionit, zhvillimi dhe zbatimi plotësisht i një kornizë integriteti për të ndihmuar në ndërtimin e besimit të komunitetit, rritja e numrit të operatorëve ekonomikë të autorizuar, si dhe zbatimi i Dritares së Vetme Kombëtare (National Single Window)./ata