Forcimi i bashkëpunimit në fushën e arsimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke nxitur shkëmbimin e eksperiencave më të mira, është në fokus të marreveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës.
Marrëveshja është depozituar për t’u ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet të kalojë tashmë në komisionin përgjegjës të Arsimit për t’u diskutuar dhe miratuar. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor është nënshkruar më 5 korrik 2023 nga palët.
Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet forcimi i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve nëpërmjet bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe interesi për të zhvilluar bashkëpunimin arsimor dhe shkencor me përfitim të ndërsjellë.
Sipas marrëveshjes, “palët do të mbështesin një bashkëpunim aktiv të institucioneve të tyre në kuadrin e programeve arsimore të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës dhe të UNESCO-s. Palët do të inkurajojnë dhe do të mbështesin një pjesëmarrje të gjerë të mësimdhënësve, ekspertëve dhe kërkuesve shkencorë në seminare, simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare të organizuara nga palët dhe do të bashkëpunojnë ngushtë në trajnimin e tyre”.
“Kjo marrëveshje mbështet shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit për organizimin e institucioneve arsimore dhe të kërkimeve shkencore në Republikën e Shqipërisë e në Republikën e Kosovës. Bazuar në këtë marrëveshje, neni 6 parashikon inkurajimin e lëvizshmërisë së studentëve në të dyja vendet. Kandidatët e interesuar aplikojnë brenda njësive përgjegjëse të secilit vend, të cilat përcaktojnë kriteret dhe modalitetet për administrimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e tyre. Palët do të ofrojnë bursa për studime, sipas kritereve të përcaktuara nga kuadri ligjor i secilës palë. Shuma totale e bursës për të dyja nivelet e arsimit të lartë do të jetë 1000 euro për vit akademik për secilin përfitues”, bëhet me dije në marrëveshje.
“Mënyra e shpërndarjes së bursave do të jetë në pajtim me legjislacionin e vendit përkatës. Numri maksimal i bursave që do të ofrohen nga secila palë është 30 bursa në vit. Për palën e Republikës së Shqipërisë, bursat e studimeve universitare jepen nga institucionet e arsimit të lartë nga fondi që u akordohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Palët ngrenë grupe ad-hoc për të shqyrtuar kriteret dhe procedurat për alokimin e bursave Palët do të punojnë së bashku për lehtësimin e procedurave për njohjen e ndërsjellë të certifikatave, diplomave, titujve dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet arsimore të të dyja palëve”, bëhet me dije në marrëveshje.
“Për realizimin e kësaj marrëveshjeje, palët do të ngrenë grupet e punës për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, të cilat do të takohen në mënyrë të alternuar në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje hyn në fuqi në datën e marrjes së njoftimit të fundit me shkrim, me të cilin palët njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes dhe do të mbetet në fuqi për një periudhë të pacaktuar kohore. Çdo mosmarrëveshje në interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të kësaj marrëveshjeje zgjidhet ndërmjet palëve me mirëkuptim ose nëpërmjet kanaleve diplomatike. Kjo marrëveshjeje mund të ndryshojë me pëlqimin e ndërsjellë të palëve. Ndryshimet hyjnë në fuqi me të njëjtën procedurë si marrëveshja. Secila palë, në çdo kohë, mund të kërkojë përfundimin e marrëveshjes, duke njoftuar me shkrim palën tjetër nëpërmjet kanaleve diplomatike. Përfundimi do të ketë efekt 6 muaj pas datës së marrjes së një njoftimi të tillë”, lexohet në marrëveshje.
Ne relacionin bashkangjitur marrëveshjes theksohet se miratimi i këtij projektligji do të sjellë efekte financiare për palët nënshkruese. Efekti financiar nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje për numrin total të bursave të planifikuara për t’u ofruar nga pala shqiptare vlerësohet në maksimum 30 000 euro për një vit akademik ose rreth 3 500 000 lekë, fonde të cilat përballohen nga fondet grant të akorduara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për institucionet e arsimit të lartë publik.
Fondet parashikohen çdo vit me ligjin e buxhetit në programin buxhetor “Arsimi universitar”. Për vitin akademik 2023-2024 e në vijim, deri në afatin e parashikuar të kohëzgjatjes së kësaj marrëveshjeje, këto fonde duhet të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit./ata