Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar në sheshin përpara Bashkisë së Tiranës në solidaritet me Ukrainën 2 vite nga agresioni rus, u shpreh se “tashmë ka 2 vjet që nga pushtimi i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë”.
Ai theksoi se, “që nga dita e parë Shqipëria dhe BE që ndruan krah për krah duke folur qartazi kundër agresionit brutal rus të Ukrainës dhe për të ndihmuar Ukrainën të vetëmbrohej”.
“Gjatë 2 viteve të fundit BE ka mobilizuar 88 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj duke përfshirë këtu mbështetje domethënëse ushtarake”, tha Gonzato
Ambasadori nënvizoi se, “ashtu si BE dhe shtetet e veta anëtare,e dhe Shqipëria e ka treguar veten me një mbështetje të paprecedentë, si politike ashtu edhe materiale”.
“Përpara se të vija në Shqipëri, punoja për BE në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, dhe aty unë pashë me sytë e mi angazhimin e mrekullueshëm të Shqipërisë, duke bërë qëndresë për Ukrainën, por edhe për rregullin dhe rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat”, u shpreh Gonzato.
“Dhe gjithnjë e më tepër si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB, Shqipëria, në fakt i ka bërë ballë bullizimit të Rusisë dhe ka mobilizuar solidaritetin ndërkombëtar për Ukrainën. në fakt Ukraina nuk mund të kishte gjetur një mik më të mirë në Këshillin e OKB-së dhe BE nuk mund të kishte një partner më të mirë”, tha më tej Gonzato.
Ambasadori i BE u shpreh se, “populli i thjeshtë ukrainas është kthyer në heronj përditë, ata janë frymëzim për të gjithë ne. Prandaj ne atyre u themi, BE, shtetet e veta anëtare, por edhe Shqipëria, së bashku me aleatët tanë, do të vazhdojnë që të bëjnë çfarëdo që të duhet, për aq kohë sa do të duhet që Ukraina të fitojë”./ata