Sali Berisha tha se vendimi i një dite më parë të Gjykatës së Apelit, që riktheu për rishqyrtim në Shkallën e Parë çështjen e drejtimit të Partisë Demokratike, është marrë nën presionin e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Yuri Kim.

 

“Vendim i Edi Ramës për të bllokuar regjistrimin e PD në zgjedhje, dhe pas bravës të marrë edhe vulën e kësaj partie. Ky moment është dëshmia më flagrante e tmerrit dhe ferrit që ka kapur Edi Ramën, mafien shqiptare të tij, por e vërteta është edhe segmente të mafies ndërkombëtare. Ata e shohin se demokratët janë të pamposhtur. Ata u përpoqën t’i japin PD-së goditjen fatale, duke mbajtur një kufomë politike në krye të saj, që e akuzonin publikisht dhe politikisht si një kukull të financuar nga rusët dhe sipas tyre, sipas Edi Ramës, por edhe sipas guvernatores Yuri Kim, ky ishte i përshtatshëm për të drejtuar forcën kryesore politike opozitare”, tha Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD këtë të shtunë.

 

“Ky është paradoksi më i madh jo për Edi Ramën. Edi Rama ka origjinë xhelatësh, por që përfaqësuesja e vendit të madh të lirisë, partnerit tonë kryesorë, të përpiqet me të gjitha mënyrat, në shkelje më flagrante të Kushtetutës të vendit të vet dhe vendit tonë, që opozita shqiptare të kryesohet nga një njeri i financuar nga rusët, nuk ka paradoks më të madh se ky.  Por këto skenarë që filluan me McGonigal dhe George Soros, me një qëllim të vetëm, çelikosjen e pushtetit të Edi Ramës. Edi Rama mendon se do ta ringjallë Bashën me vulën. Në procesin gjyqësor, Yuri Kim ka ndërhyrë në mënyrën më brutale te gjykatësja, bashkë me Erion Veliajn. Vendimi u shkrua në zyrën e Edi Ramës dhe u dërgua në gjykatë nga Elira Kokona, ndihmësja e Don Agaçios, e shquar për veprime mafioze korruptive”.