Prokuroria Tiranë ndaloi një punonjës në Agjencinë e Barnave dhe shpalli në kërkim një tjetër, nën akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

 

Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se, “ata akuzohen se në rastet kur konstatonin shkelje nga ana e farmacive merrnin prej tyre ryshfet nga 300 deri në 500 mijë lekë të vjetra për të mos i gjobitur”.

 

“Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.553/2021 për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Magazinimi i mallrave që janë kontrabandë”, pas kontrollit të ushtruar brenda subjekteve farmaci, janë gjetur barna kontrabandë. Shitja e tyre, dyshohet se është favorizuar nga punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, thuhet në njoftim.

 

Në njoftim bëhet e ditur se, “specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, disponojnë informacione të marra në rrugë operative, ku rezulton se punonjës të Agjencisë së Barnave gjatë ushtrimit të detyrës së tyre tek subjekte private farmaceutike Tiranë, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi u kërkojnë dhe u marrin shuma monetare që variojnë nga 30.000-50.000 lekë subjekteve private si shpërblim që të mos i ndëshkojnë me masa administrative kur i konstatojnë me shkelje”.

 

Në njoftim gjithashtu thuhet se, në disa raste, këta punonjës kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë marrë masa administrative megjithëse kanë konstatuar shkelje tek disa subjekte farmaceutike.

 

“Nga ana jonë, janë identifikuar punonjësit e Agjencisë së Barnave që kanë ushtruar kontroll tek subjektet farmaceutike dhe konkretisht, shtetasit A. L. dhe L. C., të cilët nëpërmjet mosveprimeve të tyre në rast konstatimi shkelje nga subjektet farmaceutike, nuk kanë marrë masa administrative ndaj këtyre subjekteve”, vijon njoftimi.

 

“Në Emisionin Investigativ Stop në Tv Klan në datën 25.01.2023 është transmetuar një material lidhur me një subjekt farmaci. Dy punonjësit e Agjencisë së Barnave, shtetasit A. L. dhe L. C., nëpërmjet presionit kërkojnë dhe marrin përfitime monetare nga subjekti me qëllim mosvendosjen e gjobës për parregullsitë që janë gjendur në subjekt apo edhe për një vijimësi pagesash në periudha të mëtejshme”, njofton Prokuroria.

 

“Duke qenë se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kishte në fokus të hetimeve pikërisht këta dy shtetas si dhe persona të tjerë, dhe duke vlerësuar pamjet e transmetuara nga emisioni investigativ Stop, pamje të cilat në unitet me veprimet e tjera procedurale krijuan provat për vënien para përgjegjësisë penale të këtyre dy shtetasve, u ndalua shtetasi L.C., ndërsa u shpall në kërkim shtetasi A.L., si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike””, vijon njoftimi.

 

Prokuroria falënderon emisionin investigativ STOP në TV Klan për iniciativën e ndërmarrë në investigimin e këtij rasti apo edhe e rasteve të tjera korruptive./ATSH