Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

 

Ai tha se, marrëveshja me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër, ndërsa është përgjigjur edhe rreth implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tash.

 

Derisa Lajçak ka thënë se, në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimi janë dakorduar për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më parë, Kurti tha se marrëveshja e asociacionit të komunave serbe është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

 

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe ashtu siç është nënshkruar më datën 19 prill 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në shtatë kapituj, me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë. Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar tekstin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në një mënyrë, mund të themi që ajo marrëveshje një mend është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Tash procesi negociator do të duhej që të na shpije përpara. E respektoj konidencialitetin e bisedimeve, por po e ritheksoi që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik dhe nenet në propozimin e Bashkimit Evropian kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje”, tha ai.

 

Ndërsa emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, janë pajtuar që “të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”.

 

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe ZKM Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar ai pas takimit me Kurtin dhe Bislimin.

 

Ndërkohë, kreu i ekzekutivit foli edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, për çka përsëriti se duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

 

“Diplomacia fluturuese i është bashkëngjitur takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali ne preambulë dhe dhjetë nen gjithsejtë. Kur e patëm marrë ne atë me datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është një kornizë e platformë, e cila na mundëson të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator I bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshje tjetër. Pra, nuk ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Ato 33 marrëveshje janë të vendosura në një rrafsh horizontal. Ndërkaq, në anën tjetër këto dhjetë nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sjellët I pari si parakusht. Kështu që mos ta harrojmë asnjë herë që marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Kurti. /KosovaPress/