Konyaspor fitoi 2-0 ndaj Hatayspor për raundin e 27-të në Superligën turke të futbollit. Deçiziv në këtë sfidë ishte Valon Et'hemi që asistoi në golin e dytë dhe të qetësisë.

Sfidën nga minuta e parë e nisi edhe Sokol Cikalleshi që kishte një ditë të shënuar. Sulmuesi kavajas luajti ndeshjen numër 100 me Konyaspor, teksa mori edhe një fanellë me këtë numër.

Paçka problemeve me pagat disa javë më parë, situata e Cikalleshit është qetësuar në klubin turk, me kontratën e sulmuesit që skadon verën që vjen dhe me gjasë një largim në një tjetër ekip është i mundur.

Edhe pse me tri pikë gjatë kësaj jave, Konyaspor ndodhet në zonën e ftohtë dhe mban pozitën e 18-të në renditje.