Myrto Uzuni humbi dy ndeshjet miqësore të Kombëtares ndaj Kilit dhe Suedisë për shkak të një dëmtimi.
Myrto Uzuni humbi dy ndeshjet miqësore të Kombëtares ndaj Kilit dhe Suedisë për shkak të një dëmtimi.
Sulmuesi u kthye në Spanjë ku ka bërë edhe ekzaminimet e nevojshme, teksa dje klubi i Granadës ka bërë publik raportin mjekësor të lojtarit beratas. Është e konfirmuar se Uzuni vuan nga një dëmtim në tendinën e Akilit, që e ka shoqëruar prej kohësh.
“Analizat mjekësore të kryera të sulmuesit Myrto Uzuni, konfirmojnë se ai vuan nga tendinopatia e majtë e Akilit. Rikthimi i tij në fushën e lojës varet edhe nga evoluimi i dëmtimit të tij” – thuhet në raportin zyrtar të publikuar nga klubi spanjoll. Kështu nuk dihet se kur Uzuni do iu kthehet fushave të lojës.
DËMTIMI – Myrto Uzuni ishte në listën e Silvinjos për grumbullimin e këtij muaji, por sulmuesi nuk arriti të zbresë në fushë asnjë stërvitje pasi kishte shqetësime në këmbën e majtë. “Tendina e Akilit” (siç quhet pjesa fundore poshtë pulpës) ishte tepër e mbingarkuar dhe Uzuni nuk mund të përballonte një ngarkesë. Kështu pas konsultimeve edhe me stafin mjekësor të Kombëtares, ai u kthye për në klubin e tij për të bërë ekzaminime më të hollësishme.
Kështu, rezultoi se Uzuni vuan nga një lëndim kronik në këmbën e majtë dhe rikuperimi nuk dihet sesa kohë do të marrë. Aktualisht dihet se Uzuni do të qëndrojë pushim dhe do të marrë kohën e nevojshme për të rikuperuar gjithçka. Këtë sezon 28-vjeçari ka shënuar 9 gola me Granadën, pavarësisht se ekipi i tij është në pozita shumë të vështira dhe me një këmbë në kategorinë e dytë.