Danimarka mbylli të hënën hetimin e saj për shpërthimin në tubacionin nënujor të Rrjedhës Veriore (Nord Stream) në vitin 2022, duke thënë se bëhet fjalë për "sabotim të qëllimshëm" por se nuk kishte "bazë të mjaftueshme" për të ndjekur një çështje penale.
Hetimi i përbashkët u krye nga Policia e Kopenhagës dhe Shërbimit Daneze të Sigurisë dhe Inteligjencës (PET).
"Hetimi ka çuar autoritetet në përfundimin se ka pasur sabotim të qëllimshëm të tubacioneve të gazit. Megjithatë, vlerësimi është se nuk ka baza të mjaftueshme për të ndjekur një çështje penale në Danimarkë", thuhet në deklaratën e policisë.
"Prandaj, Policia e Kopenhagës ka vendosur të përfundojë hetimin penal të shpërthimeve", thuhet më tej.
Gjatë deklaratës për shtyp, hetimi përshkruhet si "kompleks dhe gjithëpërfshirës", duke thënë se autoritetet daneze "bashkëpunuan me partnerët përkatës të huaj" gjatë gjithë kohës.
Rusia tha se vendimi i Danimarkës për të përfunduar hetimin është "afër absurdit".
"Sigurisht që situata është afër absurdit. Nga njëra anë, ata e kuptojnë se ky është një sabotim i qëllimshëm, ndërsa nga ana tjetër nuk vazhdojnë", tha gazetarëve në një konferencë për shtyp në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Në shtator 2022, dy shpërthime të fuqishme dëmtuan ndjeshëm tubacionin Rrjedha Veriore 1 (Nord Stream 1) dhe tubacionin e sapondërtuar Rrjedha Veriore 2 (Nord Stream 2), të cilat dërgonin gaz natyror rus në Gjermani dhe rajonin evropian përmes Detit Baltik.
Moska akuzoi Perëndimin, veçanërisht SHBA-në, për përfshirje të drejtpërdrejtë në shpërthime duke bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të udhëhequr nga OKB-ja për sabotimin e mundshëm, por kërkesa u refuzua.
Në fillim të këtij muaji, Suedia gjithashtu mbylli hetimin e saj, duke thënë se çështja nuk binte nën juridiksionin e saj./aa